Si të gatuajmë “Ballakume Elbasani për Ditën e Verës” – Receta gatimi për “Ballakume Elbasani”. Ballakumet janë një ëmbëlsirë tipike elbasanase të cilat tradicionalisht janë gatuar në festën e 14 Marsit që të gjithë ne njohim si “Dita e Verës”. Gatimi i kësaj ëmbëlsire kërkon pak teknikë dhe vemendje disi të vecantë, por nqs jeni të kujdesshëm në përgatitjen e tyre, atëherë asgjë nuk është e pamundur dhe rezultati do të jetë mjaft i kënaqshëm! Tani do tju përshkruajmë se si kjo formulë e veçantë gatimi e kuzhinës tradicionale vendase elbasanllije me anë të magjisë së saj kthehet në një shije të mrekullueshme të kësaj ëmbëlsire.

Përgatitja

Si fillim, tresim gjalpin në një tenxhere alumini dhe e lemë për rreth gjysëm ore derisa të fundërrojnë kripërat e tij. Me pas në një ene të thellë rrahim gjalpin e tretur me sheqerin derisa të formohet një mase e bardhë dhe homogjene. Në një ene tjetër përziejmë vezët e plota me qumështin dhe i shtojmë ngadalë tek masa me sheqer dhe gjalp duke vazhduar rrahjen. Shtojmë gjithashtu ngadalë miellin e misrit dhe në fund atë të grurit duke e vazhduar rrahjen kësaj here me ndihmën e një piruni. Në këtë fazë, e lemë brumin të pushojë për rreth 15-20 minuta. Megjithëse brumi në fillim mund të duket shumë i butë apo i qullët, kjo kohë i lejon grimcave të miellit të thithin lagështirën e tepërt të tij, por nqs edhe pas 20 minutash brumi rezulton përsëri i qullët, shtojmë pak miell dhe e përziejmë sërish. Marrim me dorë pak brumë dhe formojmë disa forma sferike të shtypura me madhësi mesatare të cilat i vendosim në një tavë të lyer me gjalp dhe pak miell (ose të shtruar me letër furre). Ballakumet vendosen në distancë me njëra-tjetrën në furrën e parangrohur në 170 gradë, dhe i lemë brenda derisa ato të marrin një ngjyrë të artë nga sipër, por jo të kuqerremtë! Pas përfundimit të pjekjes, i lemë derisa të ftohen dhe më pas i heqim nga tava duke patur kujdes që të mos ngjiten në të.

Përbërësit për Ballakume Elbasani për Ditën e Verës

- 1kg miell misri
- 100gr miell gruri
- 1kg sheqer
- 500 gr gjalp
- 8 kokrra vezë
- 50ml qumësht

Shënim: Rrahja e brumit preferohet të bëhet me dorë me ndihmën e një piruni apo të një teli për vezët pasi në këtë mënyrë kuptojmë më mirë kur masa merr formëne fijeve dhe rrahja duhet përfunduar. Gjithashtu kujdes të vecantë duhet pasur me miellin, pasi hedhja e tepvrt e tij i bën ballakumet e forta. Në recetën tipike elbasanase, në vend të qumështit hidhet gjysëm filaxhan kafeje ujë finji i cili përgatitet me hi të pastër që është i përzier me ujë dhe më pas lihet disa minuta në qetësi që të filtrohet. Ballakumet preferohen të piqen në një enë apo tavë të madhe bakri të pakallajisur apo në mungesë të saj në  një tavë qelqi.

Ju bëftë mirë dhe Gëzuar ditën e Verës nga Sitegatuajme.Net!

bollokume elbasani

Leave a Reply

© 2014 Si te gatuajme – Receta gatimi te ndryshme shqiptare dhe te huaja · Subscribe: RSS Twitter · Receta Gatimi designed by Si Te Gatuajme